Pages

E kanë marrë Zotërinë prej varrit - E Premte, 27 Dhjetor 2013

Leximi i parë: 1 e Gjonit 1:1-4
Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 11-12
UNGJILLI: Gjoni 20:1-8



Leximi i parë: 1 e Gjonit 1:1-4

1Çka ishte që në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, 

2 – po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – 

3 çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 

4 Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë.


Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 11-12

Zoti ngadhënjen

1 Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!

2 Re e errësirë janë përreth tij,
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

5 Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet,
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

6 Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

11 Lindi drita për të drejtin,
e gëzimi për zemërmirët.

12 Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin,
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.


UNGJILLI: Gjoni 20:1-8

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 

2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”

3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 

4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 

5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. 

6 Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 

7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.

8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. 



Arsyeja përse disaherë ju keni kërkuar dhe nuk keni marrë, është sepse ju keni kërkuar jo ashtu si duhet, ose jo rregullisht, ose pak, ose ju keni kërkuar çfarë nuk është e mirë për ju, ose sepse ju keni ndaluar së kërkuari.

-- Shën Basili