Pages

Nga ishte pagëzimi i Gjonit: Nga Qielli apo nga njerëzit? - E Hene 16 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Numrat 24:2-7, 15-17
Psalm: Psalm 25:4-9
UNGJILLI: MATEU 21:23-27



Leximi i parë: Numrat 24:2-7, 15-17

2 Dhe, si i çoi sytë lart, pa Izraelin të zemërimiuar fis përbri fisi dhe, i rrëmbyer prej Shpirtit të Hyjit, 

3t’ia dha këngës së vet e tha:
“Parakallëzim i Balaamit, birit të Beorit,
parakallëzim i njeriut symprehtë,

4 parakallëzim i atij që ndjeu fjalën e Hyjit,
që sheh çka i dëfton i Gjithpushtetshmi,
që bie në ekstazë e atëherë i çelen sytë:

5 sa të bukura qenkan tendat e tua, o Jakob,
një bukuri zemërimia jote, o Izrael!

6 Si breglumi që shkon duke u shtrirë,
porsi kopshtet për anë të lumit,
si aloeja që e ka mbjellë Zoti,
porsi cedri për anë të ujit!

7 Do të rrjedhë ujë nga kovat e tija;
farës së tij uji s’i mungon.
Mbi Agagun ngallit mbreti i tij,
plot madhëri mbretëria e tij!

15 Pra, t’ia nisi këngës së vet e tha përsëri:
“Tha Balaami i Beorit,
tha njeriu symprehtë,

16 tha ai që ndjeu fjalën e Hyjit,
që sheh çka i dëfton i Gjithpushtetshmi,
që bie në ekstazë e sytë i ka çelur!

17 Po e shoh, por jo për tani,
po e vërej, por jo për së afërmi:
një Yll po lind prej Jakobit,
një skeptër po ngallit prej Izraelit,
i pëlcet tëmthat e bijve të Moabit,
butin e kresë të bijve të Setit!

Psalm: Psalm 25:4-9

4 Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.

5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
në ty shpresoj gjithmonë.

6 Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.

7 Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
‑ për hir të mirësisë sate, o Zot.

8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

9 të përvuajtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.


UNGJILLI: MATEU 21:23-27

Pushteti i Jezusit
(Mk 11, 27‑33; Lk 20, 1‑8)

23 Kur Jezusi hyri në Tempull e aty po mësonte, iu afruan kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit dhe i thanë:
“Me ç’pushtet je duke bërë kështu? Kush ta dha këtë pushtet?”

24 Ai u përgjigj:
“Edhe unë do t’ju bëj një pyetje të vetme. Nëse ju më përgjigjeni, edhe unë do t’ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto. 

25 Nga ishte pagëzimi i Gjonit: Nga Qielli apo nga njerëzit?”
Por ata mendonin me vete: “Në qoftë se themi: nga Qielli’, ai do të na thotë: ‘Përse atëherë nuk i besuat?’ 

26 e nëse i përgjigjemi: ‘prej njerëzve’, kemi frikë popullin, sepse të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.”

27 Atëherë iu përgjigjën:
“Nuk e dimë!”
“As unë, pra, ‑ u tha ai ‑ s’po ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto vepra!”




Unë duhet ta imagjinoj veten se nuk ka njeri tjetër në botë përveç Zotit dhe unë.


-- Shën. Alfonsus Ligori