Pages

Ai që kryen Vullnetin e Atit Tim që është në Qiell - E Enjte 5 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Isaia 26:1-6
Psalm: Psalm 118:1, 8-9, 19-21, 25-27
UNGJILLI: MATEU 7:21, 24-27


Leximi i parë: Isaia 26:1-6

1 E atë ditë do të këndohet kjo këngë
në tokën e Judës:
“Qytezën e kemi të fortë,
na e ndërtoi Ai për shpëtim,
ndërtoi mure e paramure.

2 Hapni dyert:
le të hyjë populli i drejtë
që e mban besën.

3 Shpirti i të cilit s’ka luhatje;
ruaja paqen,
sepse në ty e ka vënë shpresën.

4 Kini shpresë në Zotin gjithherë,
sepse Zoti është Qeta e amshueshme;

5 sepse i shkatërroi banorët e lartësisë,
e rrënoi qytezën e paafrueshme,
e rrafshoi me tokë,
e copëtoi e bëri pluhur.

6 E shqelmon këmba,
e shkelin këmbët e skamnorëve,
e rrahin gjurmët e të vobektëve.”


Psalm: Psalm 118:1, 8-9, 19-21, 25-27

1 ALELUJA!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!

8 Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.

9 Më mirë është të strehohesh te Zoti,
se të kesh besim në princa.

19 M’i hapni dyert e drejtësisë,
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

20 Ja, këtu është dera e Zotit;
nëpër të do të hyjnë të drejtët.

21 Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar,
dhe u bëre Shpëtimtari im.

25 Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd,
dhe, o Zot, jepe të mbarën!

26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Hyji është Zot, ai na ndriçoi:
rendituni të gëzuar në reshtin kremtor
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!


UNGJILLI: MATEU 7:21, 24-27

21 “Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. 

Dy themelet
(Lk 6, 49)

24 “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 

25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb. 

26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 

27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!”