Pages

Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë - E Mërkurë 18 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Jeremia 23:5-8
Psalm: Psalm 72:1-2, 12-13, 18-19
UNGJILLI: MATEU 1:18-25


Leximi i parë: Jeremia 23:5-8

5 “Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do t’ia ngre Davidit pinjollin e drejtë; që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë
e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë.

6 Ndër ato ditë Juda do shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe.
Ja emri me të cilin do ta quajnë: “Zoti ynë ‑ drejtësia ‑ jonë”!

7 Prandaj, ja po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin e gjallë, që i nxori bijtë e Izraelit nga toka e Egjiptit!”, 

8 por: “Pasha Zotin e gjallë, që e nxori dhe e solli farën e shtëpisë së Izraelit nga toka e Veriut dhe nga të gjitha vendet”, ku i kisha flakur; dhe do të banojnë në vendin e vet.”

Psalm: Psalm 72:1-2, 12-13, 18-19

Mbreti i premtuar

1 I Salomonit.
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

2 që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

12 Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

13 Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

18 Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit,
që i vetmi bën mrekulli!

19 Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm,
toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij.
Amen! Amen!


UNGJILLI: MATEU 1:18-25

Lindja e Jezu Krishtit
(Lk 2, 1 ‑ 7)

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:
Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 

20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 

21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 

22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Hyji me ne!

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 

25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.




Ata që udhëhiqen nga Shpirti I Shenjtë kanë ide të vërteta. Prandaj dhe shumë njerëz të paditur janë më të mënçur se të mësuarit.

-- Shën. Gjon Vianney