Pages

As Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë nga të vegjëlit - E Martë 10 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Isaia 40:1-11
Psalm: Psalm 96:1-3, 10-13
UNGJILLI: MATEU 18:12-14


Leximi i parë: Isaia 40:1-11

1 “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj!

2 Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithini atij se mori fund skllavëria e tij,
u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit
ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”

3 Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit,
rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot.

4 Le të ngritet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpira le të bëhet e rrafshtë:

5 do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin
se ka folur goja e Zotit!”

6 Një zë kumton: “Shpall!” Pyeta: “Çfarë të shpall?” Çdo njeri është bar,
e tërë lavdia e tij porsi lulja e fushës;

7 thahet bari, vyshket lulja kur fryma e Zotit bie mbi të. Vërtet populli është si bari!

8 Thahet bari e bie lulja: kurse fjala e Zotit qëndron për amshim.

9 Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell sihariqin Sionit; ngrite me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell sihariqin Jerusalemit!
Klith me të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj,

10 ja, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij!

11 Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, n’përqafim i mbart;
i shikon me kujdes pëllejat.”


Psalm: Psalm 96:1-3, 10-13

Zoti mbret dhe gjykatës

1 Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

2 Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij,
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!

3 Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti”!
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.

11 Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,

12 le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve,

13 para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen,
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi,
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.


UNGJILLI: MATEU 18:12-14

12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? 

13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 

14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit.”