Pages

Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër - E Djelë 12 Janar 2014

Festa e Pagëzimit të Zotit

Leximi i parë: Isaia 42:1-4, 6-7
Psalm: Psalm 29:1-4, 9-10
Leximi i dytë: Veprat e Apostujve 10: 34-38
UNGJILLI: MATEU 3:13-17


Leximi i parë: Isaia 42:1-4, 6-7

1 Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah,
i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im,
mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim:
ai do t’ua japë të drejtën popujve.

2 Ai s’do të bërtasë, s’do ta ngrejë zërin,
zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe.

3 Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar,
s’do ta ndalë as fitilin tymues
dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën.

4 S’do të lodhet as nuk do të pushojë
derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë.
Ishujt e presin me afsh mësimin e tij.

6 Unë, Zoti, të thirra në drejtësi
e për dore të kam marrë;
të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit
edhe dritë për të gjithë popujt:

7 që t’ua hapësh sytë të verbërve,
që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu,
prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.

Psalm: Psalm 29:1-4, 9-10

1 Psalm. I Davidit.
Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit,
jepni Zotit lavdinë e fuqinë!

2 Jepni Zotit nderin e Emrit të tij,
adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë!

3 Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra,
Hyji i madhërishëm gjëmon,
Zoti bubullin mbi ujëra të mëdha!

4 Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm,
Zoti gjëmon me madhëri!

9 A ke ç’ndien? Prej tmerrit pjellin shutat,
zëri i Zotit i shkurton pyjet!
Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi”!

10 Zoti e ka fronin përmbi përmbytje,
Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë!


Leximi i dytë: Veprat e Apostujve 10:34-38

Predikimi i Pjetrit në shtëpinë e Kornelit

34 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha:
“Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, 

35 përkundrazi ‑ në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. 

36 Ai u dërgoi Fjalën e vet izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. 

37 Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 

38 se si Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të.

UNGJILLI: MATEU 3:13-17

Pagëzimi i Jezusit
(Mk 1, 9‑11; Lk 3, 21‑22)

13 Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 

14 Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” 

15 Por Jezusi iu përgjigj: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.”
Atëherë e lejoi.

16 Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. 

17 Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!” 



Është më mirë të thoni një (lutje) Ati Ynë me zjarr dhe me përkushtim sesa një mijë pa asnjë përkushtim dhe të mbushur me shpërqëndrime.

-- Shën Edmund