Pages

Kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im ... - E Martë 28 Janar 2014

Leximi i parë: 2 i Samuelit 6:12-15, 17-19
Psalm: Psalm 24:7-10
UNGJILLI: MARKU 3:31-35


Leximi i parë: 2 i Samuelit 6:12-15, 17-19

12 E lajmëruan Davidin mbret: “Zoti e bekoi Obededomin me gjithçka ka për shkak të Arkës së Zotit”. Atëherë shkoi Davidi dhe e solli prej shtëpisë së Obededomit Arkën e Zotit në qytetin e Davidit me gëzim të madh. 

13 Posa bënë gjashtë hapa, ata që bartnin Arkën e Zotit, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. 

14 Davidi vallëzonte gjithsa kishin fuqi para Zotit. Porse Davidi ishte i mbështjellë vetëm me shpinor të linjtë. 

15 Kështu Davidi dhe mbarë Izraeli e bartnin Arkën e Zotit duke brohoritur e duke i rënë borisë.

17 Atëherë e shtinë Arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj në mes të tendës që kishte ngrehur Davidi për të. Atëherë Davidi kushtoi para Zotit fli shkrumbimi dhe fli pajtimi. 

18 Kur mbaroi së flijuari flinë e shkrumbimit dhe flitë e pajtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive. 

19 Atëherë i ndau shumicës së Izraelit, secilit burrë e secilës grua nga një bukë, nga një copë mish dhe nga një ëmbëlsirë rrushi. U shpërnda mbarë populli dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.

Psalm: Psalm 24:7-10

7 “Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj!
Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë”!

8 Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi!
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

9 Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj,
lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë!

10 E kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë”!


UNGJILLI: MARKU 3:31-35

Nëna dhe vëllëzërit e Jezusit
(Mt 12, 46‑50; Lk 8, 19‑21)

31 Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikë ta thërrasë. 

32 E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

33 Ai u përgjigj:
Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?”

34 Dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin përreth tij, tha:
“Ja nëna ime e vëllezërit e mi! 

35 Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!”



Para mbretërve do të flas për Dëshmitë e Tua e nuk do të më vijë turp.
Do të kënaqem në Urdhërimet e Tua, që aq shumë i kam për zemër.

-- Psalm 119: 46,47