Pages

Por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim - E Hënë 27 Janar 2014

Leximi i parë: 2 i Samuelit 5:1-7, 10
Psalm: Psalm 89:20-22, 25-26
UNGJILLI: MARKU 3:22-30


Leximi i parë: 2 i Samuelit 5:1-7, 10

1 Atëherë erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. 

2 Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’”.

3 Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. 

4 Davidi kishte tridhjetë vjet kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për dyzet vjet: 

5 Hebron mbretëroi mbi Judën shtatë vjet e gjashtë muaj, kurse në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e tri vjet mbi mbarë Izraelin e Judën.

Pushtimi i Jerusalemit

6 U çua mbreti dhe të gjithë njerëzit që ishin me të e shkoi në Jerusalem kundër jebusenjve që popullonin vendin. Ata i thanë Davidit: “Ti s’do të hysh këtu, por do të të dëbojnë të verbërit e të çalët”, që donin të thoshin: “S’do të mund të hyjë këtu Davidi”. 

7 Por Davidi e pushtoi kështjellën Sion: d. m. th. qytetin e Davidit. 

10 Davidit gjithnjë i rritej pushteti, sepse Zoti, Hyji i ushtrive, ishte me të.

Psalm: Psalm 89:20-22, 25-26

20 Dikur, në një vëgim, fole me miqtë e tu
e u the:
“Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time,
e lartësova një djalosh nga populli.

21 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim,
e leva me vajin tim të shenjtë.

22 Dora ime gjithmonë do të jetë me të,
dhe krahu im përherë do ta kërthndezë.

25 Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të,
në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

26 Dorën e tij do ta shtrij mbi det,
të djathtën e tij përmbi lumenj.


UNGJILLI: MARKU 3:22-30

22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin:
“E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”

23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra:
“Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 

24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 

25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 

26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 

27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 

29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 

30Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”



Kur ne dëgjojmë zërat heretikë rreth nesh…, kur ne shikojmë se shenjtëria e martesës dhe priftërimi sulmohen pa patur frikën e qortimit, të keni besim se Kisha e Shenjtë është e pakorruptueshme.

-- Shën Augustini