Pages

Në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet - e Premte 7 Qershor 2013

Festa e Zemrës Më Të Shenjtë të Jezusit

Leximi i parë: Ezekieli 34:11-16
Psalm: Psalm 23:1-6
Leximi i dytë: Romakëve 5:5-11
UNGJILLI: Luka 15:3-7



Leximi i parë: Ezekieli 34:11-16

11. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, Unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem.

12. Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t`i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.

13. Do t`i nxjerr nga popujt dhe do t`i mbledh nga vende të ndryshme; do t`i çoj përsëri në tokën e tyre dhe do t`i kullot në malet e Izraelit, gjatë rrjedhave ujore dhe në tërë vendet e banuara të vendit.

14. Do t`i kullot në kullota të mira dhe vatha e tyre do të jetë në malet e larta të Izraelit; atje do të pushojnë në një vathë dhe do të kullotin në kullota të pasura në malet e Izraelit.

15. "Unë vetë do t`i kullot delet e mia dhe do t`i bëj të pushojnë", thotë Zoti, Zoti.

16. "Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t`i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t`i kullot me drejtësi.

Psalm: Psalm 23:1-6

1. Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

2. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

3. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

4. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

5. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.

6. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

Leximi i dytë: Romakëve 5:5-11

5. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

6. Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.

7. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.

8. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

9. Shumë më tepër, pra, duke qënë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.

10. Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.

11. E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.

UNGJILLI: Luka 15:3-7

3. Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

4. ``Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t`i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

5. Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

6. dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.

7. Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.