Pages

Nese ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t`jua falë edhe juve - E Enjte 20 Qershor 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 11:1-11
Psalm: Psalm 111:1-4, 7-8
UNGJILLI: Mateu 6:7-15


Leximi i parë: 2 e Korintasve 11:1-11

1. Oh, sa do të dëshiroja që ju të duronit pak marrëzi me mua! Po në fakt, ju më duroni.

2. Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë, sepse ju fejova me një burrë, që t`ju nxjerr para Krishtit si virgjëreshë të dlirë.

3. Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.

4. Sepse, po të vinte dikush dhe t`ju predikonte një Jezus tjetër, që ne nuk e kemi predikuar, ose, po të merrnit një frymë tjetër që nuk e keni marrë, ose një ungjill tjetër që nuk e keni pranuar, do ta duronit fort mirë.

5. Unë mendoj se nuk kam qenë aspak më poshtë nga apostujt më të shquar.

6. Dhe, megjithëse jam i thjeshtë në të folur, nuk jam i tillë në dituri; madje me të gjitha mënyrat dhe në të gjitha gjërat jua kemi treguar.

7. Mos vallë bëra mëkat duke e ulur veten time që të lartoheni ju, sepse ju kam predikuar falas ungjillin e Perëndisë?

8. Unë shfyrtësova kishat e tjera, duke marrë një rrogë që t`ju shërbej juve.

9. Dhe, kur isha midis jush dhe isha nevojtar, nuk iu bëra barrë askujt; sepse nevojat e mia i plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; dhe në çdo gjë u ruajta që të mos ju bëhem barrë ju, edhe për të ardhmen do të ruhem.

10. Duke qenë se e vërteta e Krishtit është në mua, kjo mburrje, përsa më përket mua, nuk do të më ndalohet në vendet e Akaisë.

11. Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Perëndia e di.

Psalm: Psalm 111:1-4, 7-8

1. Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

2. Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

3. Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

4. Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

7. Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

8. të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.


UNGJILLI: Mateu 6:7-15

7. Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t`u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.

8. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t`i kërkoni.

9. Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

10. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

11. Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

12. Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

13. Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".

14. Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t`jua falë edhe juve;

15. por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t`ua falë juve gabimet tuaja.