Pages

Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë - E Premte 21 Qershor 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 11:18, 21-30
Psalm: Psalm 34:2-7
UNGJILLI: Mateu 6:19-23


Leximi i parë: 2 e Korintasve 11:18, 21-30

18. Duke qënë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem.

21. Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.

22. Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.

23. Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.

24. Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.

25. Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m`u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.

26. Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,

27. në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.

28. Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.

29. Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?

30. Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.

Psalm: Psalm 34:2-7

2. Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

3. Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

4. Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

5. Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

6. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

7. Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.


UNGJILLI: Mateu 6:19-23

19. Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,

20. përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.

21. Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.

22. Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar,

23. por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!