Pages

O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh - E Premte 28 Qershor 2013

Leximi i parë: Zanafilla 17:1, 9-10, 15-22
Psalm: Psalm 128:1-5
UNGJILLI: Mateu 8:1-4


Leximi i parë: Zanafilla 17:1, 9-10, 15-22

1. Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: "Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm;

9. Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Nga ana jote, ti do ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit e tu, nga një brez në tjetrin.

10. Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje edhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet.

15. Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara.

16. Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj".

17. Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: "A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?".

18. Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!".

19. Por Perëndia u përgjegj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij.

20. Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.

21. Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm".

22. Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia e la Abrahamin duke u ngritur lart.


Psalm: Psalm 128:1-5

1. Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

2. Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

3. Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

4. Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

5. Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.


UNGJILLI: Mateu 8:1-4

1. Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.

2. Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ``O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh``.

3. Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ``Po, unë dua, shërohu``. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.

4. Atëherë Jezusi i tha: ``Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta``.