Pages

Emri i tij është Gjon - E Hene 24 Qershor 2013

Festa e lindjes se Gjon Pagezorit

Leximi i parë: Isaia 49:1-6
Psalm: Psalm 139:1-3, 13-15
Leximi i dytë: Veprat e Apostujve 13:22-26
UNGJILLI: Luka 1:57-66, 80


Leximi i parë: Isaia 49:1-6

1.Ishuj, dëgjomëni, dhe kushtojini kujdes, o popuj të largët. Zoti më ka thirrur që kur isha në bark të nënës, ka përmendur emrin tim që kur isha në të përbrëndëshmet e nënës sime.

2. Ma bëri gojën si një shpatë të mprehtë, më ka fshehur në hijen e dorës së tij, më ka dhënë një shigjetë me majë, më ka futur në kukurën e tij.

3. Më ka thënë: "Ti je shërbëtori im, Izrael, në të cilin do të përlëvdohem".

4. Por unë thoja: "Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim".

5. Dhe tani thotë Zoti që më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij, që t`i sjell atij përsëri Jakobin dhe që të mbledh rreth tij Izraelin (unë jam i nderuar në sytë e Zotit dhe Perëndia im është forca ime).

6. Ai thotë: "Është tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës".

Psalm: Psalm 139:1-3, 13-15

1. Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
13. Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14. Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15. Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

Leximi i dytë: Veprat e Apostujve 13:22-26

22. Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".

23. Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.

24. Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.

25. Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t`i zgjidh sandalet e këmbëve".

26. Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.

UNGJILLI: Luka 1:57-66, 80

57. Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.

58. Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59. Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t`ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;

60. por e ëma ndërhyri dhe tha: ``Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon``.

61. Dhe ata i thanë: ``S`ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër``.

62. Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t`i quhej.

63. Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: ``Emri i tij është Gjon``. Dhe të gjithë u mrrekulluan.

64. Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.

65. Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.

66. Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: ``Vallë kush do të jetë ky fëmijë?``. Dhe dora e Zotit ishte me të.

80. Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t`i zbulohej Izraelit.