Pages

Kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët - E Merkure 19 Qershor 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 9:6-11
Psalm: Psalm 112:1-4, 9
UNGJILLI: Mateu 6:1-6, 16-18


Leximi i parë: 2 e Korintasve 9:6-11

6. Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.

7. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.

8. Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t`ju teprojë për çfarëdo pune të mirë,

9. sikurse është shkruar: ``Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi``.

10. Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;

11. dhe atëherë do të pasuroheni për të qënë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë.


Psalm: Psalm 112:1-4, 9

1. Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

2. Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.

3. Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

4. Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

9. Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.


UNGJILLI: Mateu 6:1-6, 16-18

1. ``Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t`ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

2. Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

3. Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç`bën e djathta,

4. që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.

5. Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t`i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

6. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.

16. Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t`u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

17. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën,

18. me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.