Pages

Ju do t`i njihni profetët nga frytet e tyre - E Merkure 26 Qershor 2013

Leximi i parë: Zanafilla 15:1-12, 17-18
Psalm: Psalm 105:1-4, 6-9
UNGJILLI: Mateu 7:15-20


Leximi i parë: Zanafilla 15:1-12, 17-18

1. Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".

2. Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?".

3. Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im".

4. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt".

5. Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t`i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu".

6. Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.

7. Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".

8. Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".

9. Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".

10. Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.

11. Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.

12. Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.

17. Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë.

18. Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit.

Psalm: Psalm 105:1-4, 6-9

1. Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2. Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3. Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4. Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
6. ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7. Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8. Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9. besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut.

UNGJILLI: Mateu 7:15-20

15. Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë tek ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

16. Ju do t`i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

17. Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.

18. Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.

19. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.

20. Ju, pra, do t`i njihni profetët nga frytet e tyre.