Pages

Po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? - E Marte 18 Qershor 2013

Lexmi i parë: 2 e Korintasve 8:1-9
Psalm: Psalm 146:2, 5-9
UNGJILLI: Mateu 5:43-48



Lexmi i parë: 2 e Korintasve 8:1-9

1. Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë,

2. se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre.

3. Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre,

4. dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët.

5. Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë.

6. Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë.

7. Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit.

8. Këtë nuk e them si urdhër, por që me anë të kujdesit të të tjerëve të vë në sprovë sinqeritetin e dashurisë suaj.

9. Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.

Psalm: Psalm 146:2, 5-9

2. Unë do ta lëvdoj Zotin deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

5. Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

6. që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

7. që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

8. Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

9. Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

UNGJILLI: Mateu 5:43-48

43. Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd".

44. Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,

45. për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.

46. Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

47. Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

48. Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej``.


Tërhiqe zemrën tënde nga bota para se Zoti ta marri trupin tënd prej saj.

-- I Bekuari Gjoni i Avilës