Pages

Mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; Por kujt i falen pak, do pak - E Diele, 16 Qershor 2013

Leximi i parë: 2 i Samuelit 12:7-10, 13
Psalm: Psalm 32:1-2, 5, 7, 11
Leximi i dytë: Galatasve 2:16, 19-21
UNGJILLI: Luka 7:36-50


Leximi i parë: 2 i Samuelit 12:7-10, 13

7. Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit.

8. Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera.

9. Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë Hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit.

10. Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e Hiteut Uriah si bashkëshorten tënde".

13. Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.

Psalm: Psalm 32:1-2, 5, 7, 11

1. Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2. Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
5. Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t`ia rrëfej shkeljet e mia Zotit", dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
7. Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
11. Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.

Leximi i dytë: Galatasve 2:16, 19-21

16. Duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.

19. sepse përmes ligjit, vdiqa për ligjin, që unë të rroj për Perëndinë.

20. Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.

21. Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot.

UNGJILLI: Luka 7:36-50

36. Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.

37. Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.

38. Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t`ia lajë me lot këmbët dhe t`ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t`ia puthte e t`ia vajoste me vaj erëkëndshëm.

39. Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: ``Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.

40. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ``Simon, kam diçka për të të thënë``. Dhe ai tha: ``Fol, Mësues``.

41. Dhe Jezusi i tha: ``Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë.

42. Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?``.

43. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ``Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë``. Dhe Jezusi i tha: ``Gjykove drejt``.

44. Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: ``A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m`i lau këmbët me lot dhe m`i fshiu me flokët e kresë.

45. Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.

46. Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m`i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.

47. Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak``.

48. Pastaj i tha asaj: ``Mëkatet e tua të janë falur``.

49. Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: ``Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?``.

50. Por Jezusi i tha asaj gruaje: ``Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!``.