Pages

Ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell, do të hyjë në mbretërinë e qiejve - E Enjte 27 Qershor 2013

Leximi i parë: Zanafilla 16:1-12, 15-16
Psalm: Psalm 106:1-5
UNGJILLI: Mateu 7:21-29



Leximi i parë: Zanafilla 16:1-12, 15-16

1. Por Saraj, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar.

2. Kështu Saraj i tha Abramit: "Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbysja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj". Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt.

3. Kështu pra Saraj, gruaja e Abramit, mbasi ky i fundit kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kanaanëve, mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit.

4. Dhe ai u fut tek Agari, që mbeti me barrë; por kur u bind se kishte mbetur me barrë, ajo e shikoi me përbuzje zonjën e saj.

5. Atëherë Saraj i tha Abramit: "Përgjegjësia për fyerjen që m`u bë le të bjerë mbi ty. Kam qënë unë që të hodha në krahët e shërbyeses sime; por që kur e mori vesh që është me barrë, ajo më shikon me përbuzje. Zoti le të jetë gjykatës midis meje dhe teje".

6. Abrami iu përgjegj Sarajt: "Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde; bëj me të ç`të duash". Atëherë Saraj e trajtoi në mënyrë të ashpër dhe ajo iku nga prania e saj.

7. Por Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit,

8. dhe i tha: "Agar, shërbyesja e Sarajt, nga vjen dhe ku po shkon?" Ajo u përgjigj: "Po iki nga prania e zonjës sime Saraj".

9. Atëherë Engjëlli i Zotit i tha: "Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj".

10. Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: "Unë do t`i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh".

11. Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd;

12. ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij".

15. Kështu Agari i lindi një djalë Abramit; dhe Abrami i vuri djalit që Agari kishte lindur emrin Ismael.

16. Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kur Agari lindi Ismaelin për Abramin.

Psalm: Psalm 106:1-5

1. Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2. Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3. Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4. Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5. me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

UNGJILLI: Mateu 7:21-29

21. Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22. Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".

23. Dhe atëherë unë do t`u sqaroj atyre: "Unë s`ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

24. Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

25. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.

26. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.

27. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh``.

28. Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,

29. sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.