Pages

Nëse dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën - E Hene 17 Qershor 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 6:1-10
Psalm: Psalm 98:1-4
UNGJILLI: Mateu 5:38-42


Leximi i parë: 2 e Korintasve 6:1-10

1. Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,

2. sepse ai thotë: ``Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova``. Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.

3. Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;

4. por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,

5. në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,

6. me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,

7. me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,

8. në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;

9. si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;

10. si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s`kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.

Psalm: Psalm 98:1-4

1. Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

2. Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

3. Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

4. Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.

UNGJILLI: Mateu 5:38-42

38. Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb".

39. Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën,

40. dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.

41. Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.

42. Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t`i japësh atij që të kërkon hua.