Pages

Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, por për t`i shpëtuar - E Diele, 30 Qershor 2013

Leximi i parë: 1 e Mbretërve 19:16, 19-21
Psalm: Psalm 16:1-2, 5, 7-11
Leximi i dytë: Galatasve 5:1, 13-18
UNGJILLI: Luka 9:51-62


Leximi i parë: 1 e Mbretërve 19:16, 19-21

16. Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.

19. Elia u nis që andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, ndërsa lëronte me dymbëdhjetë pendë qe para tij, dhe ai vetë gjendej me pendën e dymbëdhjetë. Elia i kaloi afër dhe i hodhi sipër mantelin e tij.

20. Atëherë Eliseu la qetë dhe vrapoi pas Elias, duke thënë: "Të lutem, më lër të shkoj të puth atin tim dhe nënen time, pastaj do të të ndjek". Elia iu përgjigj: "Shko dhe kthehu, sepse ç`të kam bërë?".

21. Me t`u larguar nga ai, Eliseu mori një pendë qe dhe i ofroi si flijim; me veglat e qeve poqi mishin dhe ua dhe njerëzve, që e hëngrën. Pastaj u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij.

Psalm: Psalm 16:1-2, 5, 7-11

1. Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.
2. I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".
5. Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.
7. Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.
8. Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.
9. Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,
10. sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.
11. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

Leximi i dytë: Galatasve 5:1, 13-18

1. Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

13. Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t`i shërbeni njëri-tjetrit.

14. Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: ``Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!``.

15. Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

16. Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

17. sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

18. Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

UNGJILLI: Luka 9:51-62

51. Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhej të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,

52. dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t`i përgatitur ardhjen.

53. Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.

54. Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: ``Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t`i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?``.

55. Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: ``Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;

56. sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t`i shpëtuar``. Pastaj shkuan në një fshat tjetër.

57. Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: ``Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh``.

58. Por Jezusi i tha: ``Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën``.

59. Pastaj i tha një tjetri: ``Ndiqmë!``. Por ai përgjigjej: ``Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim``.

60. Jezusi i tha: ``Lëri të vdekurit t`i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë``.

61. Akoma një tjetër i tha: ``Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime``.

62. Jezusi i tha: ``Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë``.