Pages

Mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani.. - E Shtune, 18 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:44-47 ose Kolosianëve 3:12-17
Psalm: Psalm 131:1-3
UNGJILLI: Luka 12:22-31



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:44-47

44. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.

45. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.

46. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,

47. duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.

Psalm: Psalm 131:1-3

1. O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.

2. E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.

3. O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.

UNGJILLI: Luka 12:22-31

22. Pastaj u tha dishepujve të vet: ``Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni.

23. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.

24. Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë.

25. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit?

26. Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?

27. Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata.

28. Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t'ju veshë, o njerëz besimpakë?

29. Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak,

30. sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to.

31. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t`ju jepen si shtesë.