Pages

Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat - E Merkure, 8 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 17:15, 22 -- 18:1
Psalm: Psalm 148:1-2, 11-14
UNGJILLI: Gjoni 16:12-15



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 17:15, 22 -- 18:1

15. Ata që i prinin Palit e çuan deri në Athinë; pastaj, mbasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të arrijnë sa më parë tek ai, u kthyen prapa.

22. Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: ``O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë``.

23. Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

24. Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

25. dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

26. dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

27. që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

28. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".

29. Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

30. Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

31. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit``.

32. Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: ``Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë``.

33. Kështu Pali doli nga mesi i tyre.

34. Por disa u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionis areopagiti, një grua që quhej Damaris dhe ca të tjerë me ta.

1. Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.

Psalm: Psalm 148:1-2, 11-14

1. Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

2. Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

11. ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12. të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13. Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14. Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

UNGJILLI: Gjoni 16:12-15

12. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t`ju thënë, por ato ende ju nuk mund t`i mbani.

13. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t`ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t`ju kumtojë gjërat që do vijnë.

14. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t`jua kumtojë.

15. Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t`jua kumtojë.