Pages

Jezusi: "Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet" - E Merkure, 1 Maj 2013


Leximi i parë: Zanafilla 1:26-2:3 ose Kolosianëve 3:14-15, 17, 23-24
Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16
UNGJILLI: Mateu 13:54-58



Leximi i parë: Zanafilla 1:26 -- 2:3

26. Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".

27. Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.

28. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".

29. Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t`ju shërbejë si ushqim.

30. Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.

31. Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.

1. Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre.

2. Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer.

3. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.

Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16

2. Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

3. Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

4. Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

12. Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13. Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14. Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

16. Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.


UNGJILLI: Mateu 13:54-58

54. Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: ``Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme?

55. A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakobi, Iose, Simon dhe Juda?

56. Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?``.

57. Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: ``Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet``.

58. Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.