Pages

Jezusi: "Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua" - E Hene, 6 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 16:11-15
Psalm: Psalm 149:1-6, 9
UNGJILLI: Gjoni 15:26 -- 16:4



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 16:11-15

11. Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,

12. dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.

13. Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.

14. Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.

15. Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: ``Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini``. Dhe na detyroi të pranojmë.

Psalm: Psalm 149:1-6, 9

1. Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

2. Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

3. Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

4. sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

5. Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

6. Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

9. për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.


UNGJILLI: Gjoni 15:26 -- 16:4

26. Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t`ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.

27. Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi``.

1. ``Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.

2. Do t`ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t`ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.

3. Dhe do t`ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.

4. Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.