Pages

Ki kujdes për delet e Mia - E Premte, 17 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 25:13-21
Psalm: Psalm 103:1-2, 11-12, 19-20
UNGJILLI: Gjoni 21:15-19



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 25:13-21

13. Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14. Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: ``Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,

15. kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.

16. Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t`i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.

17. Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.

18. Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.

19. Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.

20. Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.

21. Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari``.

Psalm: Psalm 103:1-2, 11-12, 19-20

1. Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

2. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

11. Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

19. Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.


UNGJILLI: Gjoni 21:15-19

15. Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ``Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?``. Iu përgjigj: ``Po, Zot, ti e di se unë të dua``. Jezusi i tha: ``Kulloti qengjat e mi!``.

16. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ``Simon nga Jona, a më do ti mua?``. Iu përgjigj: ``Po, Zot, ti e di se unë të dua``. Jezusi i tha: ``Ki kujdes për delet e mia``.

17. E pyeti për të tretën herë: ``Simon nga Jona, a më do ti mua?``. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ``A më do ti mua?``, dhe iu përgjigj: ``Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua``. Jezusi i tha: ``Kulloti delet e mia.

18. Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t`i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje``.

19. I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç`vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: ``Ndiqmë``.