Pages

Jezusi: "Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time" - E Diele, 5 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 15:1-2, 22-29
Psalm: Psalm 67:2-3, 5-6, 8
Leximi i dytë: Zbulesa 21:10-14, 22-23
UNGJILLI: Gjoni 14:23-29



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 15:1-2, 22-29

1. Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: ``Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni``.

2. Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.

22. Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,

23. me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ``Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.

24. Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,

25. na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t`i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,

26. njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

27. Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t`ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.

28. Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:

29. që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë``.


Psalm: Psalm 67:2-3, 5-6

2. me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

3. Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

5. Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

6. Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.


Leximi i dytë: Zbulesa 21:10-14, 22-23

10. Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,

11. duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj i ngjante me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.

12. Ai kishte një mur të madh dhe të lartë me dymbëdhjetë porta, dhe te portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.

13. Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.

14. Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.

22. Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.

23. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.


UNGJILLI: Gjoni 14:23-29

23. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.

24. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

25. Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

26. por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t`ju mësojë çdo gjë dhe do t`ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

27. Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u tronditë dhe mos u frikësoftë.

28. Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.

29. Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.


Kur unë jam plotësisht i bashkuar me ty, nuk do të ketë më trishtim apo mundime; plotësisht I mbushur me ty, jeta ime do të jetë e kompletuar

-- Shën. Augustin