Pages

Kërkoni dhe do të merrni - E Shtune, 11 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:23-28
Psalm: Psalm 47:2-3, 8-9
UNGJILLI: Gjoni 16:23-28



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:23-28

23. Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.

24. Por një Juda, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes.

25. Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe, i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.

26. Ai filloi të flasë lirisht në sinagogë. Dhe, kur Akuila dhe Priskila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.

27. Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit.

28. Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe Judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.

Psalm: Psalm 47:2-3, 8-9

2. Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.

3. Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t`i vërë nën këmbët tona.

8. Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.

9. Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

UNGJILLI: Gjoni 16:23-28

23. Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin Tim, Ai do t`jua japë.

24. Deri tani ju s`keni kërkuar asgjë në emrin Tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

25. Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t`ju flas më me shëmbëlltyra, por do t`ju flas haptas për Atin.

26. Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin Tim; dhe nuk po them se Unë do t`i lutem Atit për ju;

27. Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët Mua dhe keni besuar se Unë dola nga Perëndia.

28. Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati``.