Pages

Ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet - E Enjte, 9 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:1-8
Psalm: Psalm 98:1-4
UNGJILLI: Gjoni 16:16-20



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:1-8

1. Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.

2. Dhe si gjeti një farë Judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë Judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.

3. Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.

4. Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte Judenj dhe Grekë.

5. Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t`u dëshmuar Judenjve se Jezusi ishte Krishti.

6. Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: ``Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë``.

7. Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjitur me sinagogën.

8. Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.

Psalm: Psalm 98:1-4

1. Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

2. Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

3. Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

4. Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.


UNGJILLI: Gjoni 16:16-20

16. Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati``.

17. Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: ``Ç`është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?``.

18. Thoshnin pra: ``Ç`është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s`dimë ç`don të thotë``.

19. Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: ``Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?

20. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.


Gjeta Davidin, shërbëtorin Tim, dhe e vajosa me vajin Tim të shenjtë. Dora Ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu Im do ta forcojë. Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

-- Psalm 88: 21-23