Pages

Unë i kam ruajtur ata që Ti më ke dhënë - E Merkure, 15 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 20:28-38
Psalm: Psalm 68:29-30, 33-35
UNGJILLI: Gjoni 17:11-19



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 20:28-38

28. Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

29. Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,

30. edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.

31. Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.

32. Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t`ju ndërtojë dhe t`ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve.

33. Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.

34. Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.

35. Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: "Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!"``.

36. Dhe, si kishte thënë këto gjëra, u ul mbi gjunjë dhe u lut me ata të gjithë.

37. Atëherë të gjithë qanë me të madhe, e rroknin në qafë Palin dhe e puthnin,

38. të hidhëruar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Pastaj e përcollën në anije.


Psalm: Psalm 68:29-30, 33-35

29. Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.

30. Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.

33. atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.

34. Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.

35. O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!


UNGJILLI: Gjoni 17:11-19

11. Tani Unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe Unë po vij te Ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në Emrin Tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse Ne!

12. Kur isha me ata në botë, Unë i kam ruajtur në Emrin Tënd; Unë i kam ruajtur ata që Ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.

13. Por tani Unë po vij te Ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi Im të bëhet i plotë në ta.

14. Unë u kam dhënë atyre fjalën Tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe Unë nuk jam prej botës.

15. Unë nuk kërkoj që Ti t`i heqësh nga bota, por që Ti t`i mbrosh nga i ligu.

16. Ata nuk janë nga bota, sikurse Unë nuk jam nga bota.

17. Shenjtëroji në të vërtetën Tënde; fjala Jote është e vërteta.

18. Sikurse Ti më ke dërguar Mua në botë, po ashtu Unë i kam dërguar ata në botë.

19. Dhe Unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.