Pages

Festa e Zonjës së Fatimas - E Hënë, 13 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 19:1-8
Psalm: Psalm 68:2-7
UNGJILLI: Gjoni 16:29-33



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 19:1-8

1. Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:

2. ``A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?``. Ata iu përgjigjën: ``Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë``.

3. Dhe ai u tha atyre: ``Me se, pra, u pagëzuat?``. Ata u përgjigjën: ``Me pagëzimin e Gjonit``.

4. Atëherë Pali tha: ``Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t`i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.

5. Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

6. Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

7. Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

8. Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Psalm: Psalm 68:2-7

2. Ti do t`i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.

3. Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.

4. Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.

5. Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.

6. Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.

7. O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)

UNGJILLI: Gjoni 16:29-33

29. Dishepujt e tij i thanë: ``Ja, ti tani po flet haptas dhe s`po përdor asnjë shëmbëlltyrë.

30. Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s`ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia``.

31. Jezusi u përgjigj atyre: ``A besoni tani?

32. Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.

33. Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në Mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, Unë e munda botën!``.