Pages

Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Unë ju kam dashur juve - E Marte, 14 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 1:15-17, 20-26
Psalm: Psalm 113:1-8
UNGJILLI: Gjoni 15:9-17


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 1:15-17, 20-26

15. Në ato ditë Pjetri u çua në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:

16. ``Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.

17. Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

20. Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: ``Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!``, dhe: ``Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!``.

21. Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,

22. duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u muarr në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij``.

23. Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia.

24. Dhe, duke u lutur, thanë: ``Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25. për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij``.

26. Atëherë hodhën short, dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.

Psalm: Psalm 113:1-8

1. Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2. Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
3. Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
4. Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5. Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6. kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7. Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8. për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

UNGJILLI: Gjoni 15:9-17

9. Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.

10. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

11. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

12. Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.

13. Askush s`ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.

14. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.

15. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç`bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.

16. Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin tim, ai t`jua japë.

17. Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.


Kur jam para Sakramentit të Bekuar unë ndjej një besim kaq të gjallë sa nuk mund ta përshkruaj. Krishti në Eukaristi është posthuajse i prekshëm për mua.... Kur është koha të largohem, unë duhet ta forcoj veten time të largohem prej pranisë së Tij të shenjtë.

-- Shën Antoni i Klaret