Pages

Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve - E Merkure 2 Tetor 2013

Leximi i parë: Eksodi 23:20-23
Psalm: Psalm 91:1-6, 10-11
UNGJILLI: MATEU 18:1-5, 10


Leximi i parë: Eksodi 23:20-23

Premtime dhe porosi për hyrjen në dheun Kanaan

20 “Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë gjatë udhëtimit e të të shtjerë në vendin që kam përgatitur.

21 Ki nderim për të dhe dëgjoje. Mos i kundërshto, sepse nuk do të falë në qoftë se mëkatoni, sepse në të është Emri im. 

22 Nëse do ta dëgjosh zërin e tij e nëse do të bësh gjithçka them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.

23 Engjëlli im do të prijë e do të shtjerë në dheun e Amorreut, të Heteut, të Ferezeut, të Kananeut, të Heveut e Jebuseut. Unë këta do t’i asgjësoj. 


Psalm: Psalm 91:1-6, 10-11

1 Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.

2 Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im,
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të”.

3 Sepse Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarëve
dhe nga fjala dijekeqe.

4 Do të të bëjë hije me krahët e vet
do të strehohesh nën fletët e tija,
shqyt e pancir e vërteta e tij.

5 Nuk do të frikësohesh prej tmerrit të natës,
as prej shigjete që fluturon ditën,

6 as prej murtaje që shëtit në errësirë,
as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.

10 e keqe nuk do të të gjejë,
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:

11 sepse engjëjve të vet urdhër u dha
të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.


UNGJILLI: MATEU 18:1-5, 10

1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:
Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 

3 e u tha: “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 

4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 

5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor.