Pages

Ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë - E Hene 21 Tetor 2013

Leximi i parë: Romakëve 4:20-25
Psalm: Luka 1:69-75
UNGJILLI: LUKA 12:13-21



Leximi i parë: Romakëve 4:20-25

20 Nuk dyshoi në premtimin e Hyjit, por u forcua me anë të fesë dhe i dha lavdi Hyjit 

21 plotësisht i bindur se çka i premtoi Hyji, ai edhe do ta çojë në vend. 

22 Ja, pra, përse kjo gjë iu numërua për drejtësi.

23 Por nuk ishte shkruar vetëm për të: ‘iu numërua... ’, 

24 por se do të na numërohet edhe neve, të cilët besojmë në Atë që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë, 

25 i cili u flijua për faje tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.


Psalm: Luka 1:69-75

69 Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

71 se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

72 se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

73 e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë, se do të na e bëjë të mundshme 

74 t’i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut 

75 në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.


UNGJILLI: LUKA 12:13-21

Shëmbëlltyra e pasanikut të pamend

13 Atëherë dikush prej turmës i tha:
“Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.”

14 “Or mik, ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?”

15 Atëherë u tha:
“Vëriani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”

16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
“Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 

17 Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia. ’

18 Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 

19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ 

20 Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ 

21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.”


Sytë e mi përherë i drejtoj te Hyji, sepse ai i nxjerr këmbët e mia prej lakut. Më shiko, o Zot, e ki dhembje për mua, sepse jam i vetmuar e i mjerë.

-- Psalm 24:15,16