Pages

Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak - E Enjte 3 Tetor 2013

Leximi i parë: Nehemia 8:1-12
Psalm: Psalm 19:8-11
UNGJILLI: LUKA 10:1-12



Leximi i parë: Nehemia 8:1-12

1 Kur arriti muaji i shtatë, izraelitët ishin vendosur në qytetet e veta.
Atëherë u bashkua mbarë populli si një njeri i vetëm në sheshin që është para derës së Ujërave dhe i thanë skribit Esdra ta sjellë librin e Ligjit të Moisiut, që Zoti ia kishte dhuruar Izraelit. 

2 Atëherë prifti Esdra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë. 

3 Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lëxonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit.

4 Skribi Esdra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtë të tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtë ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami. 

5 Esdra e hapi Librin para syve të tërë popullit ‑ sepse qëndronte pak më lart se populli ‑ dhe, kur e hapi librin, u ngrit në këmbë i tërë populli. 

6 Atëherë Esdra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart, u përgjigj: “Amen, amen!” pastaj u përkulën dhe e adhuruan Hyjin me fytyrën e ulur deri në tokë.

7Levitët Jezuai, Baniu, Serebia, Jamini, Akubi, Septaji, Hodia, Maasia, Celita, Azaria, Jozabedi, Hanani dhe Falaja, ia shpjegonin popullit Ligjin, ndërsa populli qëndronte në vendin e vet. 

8 Dhe Librin e Ligjit të Hyjit e lëxonin pjesë pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej.

9 Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe skribi Esdra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit. 

10 Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepni pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.” 

11 Levitët e qetësonin mbarë popullin dhe thoshin: “Pushoni, sepse është ditë e shenjtë e Zotit e s’bën të trishtoheni!” 

12 Mbarë populli shkoi të hante, të pinte e t’u çonte pjesë atyre që s’kishin, e të kremtonte, sepse i kishin kuptuar fjalët që ua kishin shtjelluar.


Psalm: Psalm 19:8-11

8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.

10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njësoj të drejta.

11 Më të çmueshme se ari,
se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.


UNGJILLI: LUKA 10:1-12

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 

2 U thoshte:
“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 

3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 

4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 

5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 

6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 

7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 

9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 

11 ’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 

12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”



Biri i vetëm i Zotit, duke dashur të na bëj pjestarë në Hyjninë e Tij, mori natyrën tonë, me qëllim që Ai, i bërë njeri, të mund t'i bënte edhe njerëzit zota.

-- Shën. Thomas Aquinas