Pages

Kur të luteni, thoni: O Atë, ... - E Merkure 9 Tetor 2013

Leximi i parë: Jona 4:1-11
Psalm: Psalm 86:3-6, 9-10
UNGJILLI: LUKA 11:1-4


Leximi i parë: Jona 4:1-11

1 Jona u pikëllua shumë dhe u zemërua.

2 Iu lut Zotit e tha: “Ah, o Zot, a nuk doli pikërisht ashtu siç e mendoja unë, kur ende isha në vendin tim? Kjo ishte arsyeja pse mendoja të iki në Tarsis! Sepse e dija mirë se ti je Hyj i butë e i mëshirshëm, zemërgjerë e mëshirëmadh dhe se e fal të keqen. 

3 Tani, pra, o Zot, ma merr jetën, po të lutem, sepse për mua më e mirë është vdekja se jeta.” 

4 Zoti iu përgjigj: “A të thotë mendja se e ke me të drejtë të hidhërohesh kështu?”

5 Jona doli prej qytetit e zuri vend përballë, në lindje të qytetit. Punoi aty një kasolle dhe u ul të rrijë nën hijen e saj për të parë se çka do të ndodhë në qytet. 

6 Zoti Hyj bëri të mbijë një urth që u rrit përmbi Jonën për t’i bërë hije mbi kokë e për ta shëruar nga pikëllimi i tij. Jona iu gëzua urthit me gëzim tepër të madh.

7 Por, të nesërmen, në agim, Hyji çoi një krimb, i cili e breu urthin dhe urthi u tha. 

8 Pastaj, kur u çua lart dielli, Hyji bëri të fryejë era e nxehtë lindore. Edhe dielli e goditi në kokë Jonën. Jona u mek, dëshiroi të vdesë e tha:
“Më mirë është për mua të vdes se të rroj!”

9 Hyji i tha Jonës: “A të thotë mendja se ke të drejtë të hidhërohesh për shkak të urthit?” Iu përgjigj: “Po, kam të drejtë të zemërohem deri në vdekje!” 

10 Zoti ia priti: “Ty po të dhimbset urthi rreth të cilit nuk u mundove aspak as nuk bëre asgjë që të rritet, i cili për një natë mbiu e për një natë u tha: 

11 e unë të mos e fal Ninivën, qytetin e madh, në të cilin janë më se njëqind e njëzet mijë njerëz, të cilët nuk dinë ta dallojnë të djathtën e vet nga e majta e vet dhe një numër i madh kafshësh?”


Psalm: Psalm 86:3-6, 9-10

3 Ki mëshirë për mua, o Zot,
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

4 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd,
sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

5 Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë,
plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

6 Dëgjoje, o Zot, lutjen time,
vështroje zërin e lutjes sime.

9 Të gjithë paganët prej teje të krijuar,
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot,
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,

10 sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli,
ti je i vetmi Hyj.



UNGJILLI: LUKA 11:1-4

Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

“Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!
U shenjtëroftë Emri Yt!
Ardhtë Mbretëria jote!
Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!
Na i fal mëkatet tona,
sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.
E mos lejo të biem në tundim!”