Pages

Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni - E Hene 14 Tetor 2013

Leximi i parë: Romakëve 1:1-7
Psalm: Psalm 98:1-4
UNGJILLI: LUKA 11:29-32



Leximi i parë: Romakëve 1:1-7

1 Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull,
veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑

2 të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet
në Shkrimet e Shenjta

3 mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit,

4 por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt pas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë,

5 nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij,
t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët,

6 ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit:

7 të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve:
Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.


Psalm: Psalm 98:1-4

1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.


UNGJILLI: LUKA 11:29-32

Të dijshmit kërkojnë një shenjë
(Mt 12, 38‑42; Mk 8, 12)

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:
“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 

30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!

32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”




Tek Ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim! Hyji im, në Ty shpresoj: mos lejo të turpërohem! - Psalm 24:1,2