Pages

Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani ... - E Djele, 6 Tetor 2013

Leximi i parë: Habakuku 1:2-3; 2:2-4
Psalm: Psalm 95:1-2, 6-9
Leximi i dytë: 2 e Timoteut 1:6-8, 13-14
UNGJILLI: LUKA 17:5-10


Leximi i parë: Habakuku 1:2-3; 2:2-4

2 Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh?
“Dhunë”! ‑ do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh?

3 Pse ma qet para ta shikoj prapësinë e ti vetëm e kundron mbrapshtinë?
Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!

2 Zoti atëherë m’u përgjigj e më tha: “Shkruaje vegimin, gdhende përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm.

3 Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk gënjen;
nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë!

4 Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në sajë të fesë së vet jeton i drejti!


Psalm: Psalm 95:1-2, 6-9

1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

2 T’i dalim para me falenderim,
t’i këndojmë këngë hareje!

6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

7 Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.

8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.


Leximi i dytë: 2 e Timoteut 1:6-8, 13-14

6 Këndej të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. 

7 Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi, shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë. 

8 Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit,

13 Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. 

14 Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, thesarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua.


UNGJILLI: LUKA 17:5-10

5 Apostujt i drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!”

6 Zotëria u tha: Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.

7 Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan delet, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ 

8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ 

9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? 

10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. ’“