Pages

Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ... - E Merkure 16 Tetor 2013

Leximi i parë: Romakëve 2:1-11
Psalm: Psalm 62:2-3, 6-7, 9
UNGJILLI: LUKA 11:42-46



Leximi i parë: Romakëve 2:1-11

1 Prandaj, nuk do të kesh si të arsyetohesh, o njeri ‑ kushdo të jesh ‑ që gjykon tjetrin! Sepse duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, pasi ti që gjykon i bën të njëjtat gjëra.

2 Dhe ne mirë e dimë: gjykimi i Hyjit zbatohet sipas të vërtetës kundër atyre që bëjnë vepra të tilla.

3 A të thotë mendja, o njeri, ti që gjykon ata që bëjnë vepra të tilla, se do t’i shpëtosh gjyqit të Hyjit, ndërsa edhe ti bën të njëjtat veprime? 

4 Apo ndoshta e bën në asgjë begatinë e mirësisë, të durimit e të bujarisë së Hyjit, duke mos u kujtuar se mirësia e tij të thërret e të nxit për kthim? 

5 Me kryeneçësinë tënde dhe me zemër që nuk mendon të kthehet, ti grumbullon kundër vetes hidhërim për Ditën e zemërimit dhe për Ditën e dëftimit të Gjyqit të drejtë të Hyjit, 

6 i cili do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: 

7 me jetën e pasosur ata që, me qëndresë në vepra të mira, kërkojnë lumturinë, nderin dhe pashkatërrueshmërinë; 

8 ndërsa do të ketë zemërim e përbuzje për ata që me kryeneçësi i kundërshtojnë të vërtetës e i binden paudhësisë. 

9 Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun; 

10 ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, do të ketë lumturi, nder e paqe! 

11 Sepse Hyji nuk i mban kujt krah.


Psalm: Psalm 62:2-3, 6-7, 9

Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im,
sepse prej tij vjen shpëtimi im.

3 Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

6 Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im,
vetëm në të qëndron shpresa ime!

7 Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

9 Shpreso në të gjithmonë, o popull,
atij hapi zemrën,
sepse Hyji është strehimi ynë.


UNGJILLI: LUKA 11:42-46

42 Porse; vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e lini pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!

43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!

44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit, pa ditur, ecin mbi to!”

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha:
“Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!”

46 “Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!


Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?
-- Psalm 26:1