Pages

Feja jote të shpëtoi - E Djele, 13 Tetor 2013

Leximi i parë: 2 i Mbretërve 5:14-17
Psalm: Psalm 98:1-4
Leximi i dytë: 2 e Timoteut 2:8-13
UNGJILLI: LUKA 17:11-19


Leximi i parë: 2 i Mbretërve 5:14-17

14 Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.

15 Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd”.

16 Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr”. Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi.

17 I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.


Psalm: Psalm 98:1-4

1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.


Leximi i dytë: 2 e Timoteut 2:8-13

8 Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj, 

9 për shkak të të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! 

10 Këndoj edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme.

11 E vërtetë është kjo fjalë: »Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.

12 Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit.

13 Nëse ne nuk jemi besnikë – Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten«.


UNGJILLI: LUKA 17:11-19

Shërimi i dhjetë të gërbulurve

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 

12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 

13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”

14 Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!”
E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë. 

16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas. 

17 Jezusi mori fjalën e tha:
Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? 

18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 

19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”