Pages

Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë? - E Premte 25 Tetor 2013

Leximi i parë: Romakëve 7:18-25
Psalm: Psalm 119:66, 68, 76-77, 93-94
UNGJILLI: LUKA 12:54-59



Leximi i parë: Romakëve 7:18-25

18 Dhe e di se e mira nuk banon në mua ‑ d. m. th. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, 

19 pasi nuk bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë bëj. 

20 Në qoftë, pra, se bëj atë që [unë] nuk do të dëshiroja ta bëja, kurrsesi nuk jam ai që e bëj atë, por mëkati që banon në mua.

21 Gjej, pra, se është ky ligj: kur dua të bëj të mirën, më vjen përdoresh e keqja. 

22 Në qenien time të brendshme me kënaqje të plotë përkoj me Ligjin e Hyjit, 

23 porse hetoj në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, i cili lufton kundër ligjit të arsyes sime dhe më robëron me ligjin e mëkatit, që banon në gjymtyrët e mia.

24 Oh sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes? 

25 Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë! Prandaj: unë me mendje i shërbej Ligjit të Hyjit, kurse me trup ligjit të mëkatit.


Psalm: Psalm 119:66, 68, 76-77, 93-94

66 Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen,
sepse u besoj urdhërimeve të tua.

68 Ti je i mirë e bën mirë,
ma mëso vullnetin tënd.

76 Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.

77 Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse Ligji yt është kënaqësia ime.

93 Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua,
në saje të tyre ti më mban në jetë.

94 Yti jam: deh, ti më shpëto,
sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua.


UNGJILLI: LUKA 12:54-59

Shenjat e kohës
(Mt 16, 2‑3)

54 Pastaj iu drejtua turmës:
“Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh. 

55 Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë. 

56 Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?”

Ndrequ me paditësin tënd
(Mt 5, 25‑26)

57 “Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë? 

58 Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në ujdi me të ‑ që të mos nxjerrë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg. 

59 Unë po të them se s’do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të fundit qindarkë.”