Pages

Ti do të shpërblehesh në ringjalljen e të drejtëve - E Hene 4 Nentor 2013

Leximi i parë: Romakëve 11:29-36
Psalm: Psalm 69:30-31, 33-34, 36-37
UNGJILLI: LUKA 14:12-14


Leximi i parë: Romakëve 11:29-36

29 Sepse dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.

30 Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën, 

31 ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. 

32 Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij!

34 E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit?
Kush iu bë Atij këshilltar?

35 Kush i dha Atij më parë
që të jetë detyrë t’i kthehet?’

36 Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!


Psalm: Psalm 69:30-31, 33-34, 36-37

30 Mua të mjerin e të pikëlluarin:
më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë,
do ta lartësoj me këngë falenderimi.

33 Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen;
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

36 Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin,
Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës,
aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

37 Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë,
në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!


UNGJILLI: LUKA 14:12-14

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur:
“Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 

13 Por, kur të bësh gosti, ftoji të varfërit, të gjymtë, të çalë e të verbër. 

14 Atëherë do të jesh i bekuar, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe ti do të shpërblehesh në ringjalljen e të drejtëve.”