Pages

Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të Emrit Tim - E Merkure 27 Nentor 2013

Leximi i parë: Danieli 5:1-6, 13-14, 16-17, 23-28
Psalm: Danieli 3:62-67
UNGJILLI: LUKA 21:12-19


Leximi i parë: Danieli 5:1-6, 13-14, 16-17, 23-28

1 Mbreti Baltazar u bëri një gosti të madhe një mijë bujarëve të vet e bashkë me ta u dha të pijë verë. 

2 Baltazari i dehur dha urdhër të sillen enët e arta e të argjendta, që i kishte marrë babai i tij Nabukodonozori prej Tempullit të Jerusalemit që të pinte me to mbreti, bujarët e tij, gratë dhe shemrat e tij.

3 Atëherë i sollën enët e arta që kishin qenë marrë nga Tempulli i Jerusalemit. Pinë me to mbreti, bujarët e tij, gratë e shemrat e tij: 

4 pinin verë e lavdëronin zotat e vet të artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë e të gurtë.

5 Atëherë u dukën gishtat e dorës së njeriut dhe shkruan përballë pishtarit të madh në mur të pallatit të mbretit. Mbreti i shihte mirë gishtat e dorës së shkruesit. 

6 Mbretit iu zverdh fytyra, mendimet e trazuan, gjymtyrët e ijëve të tij e lëshuan e gjunjët filluan t’i përplasen për njëri‑tjetrin.

Danieli para mbretit

13 Kështu, pra, e futën Danielin te mbreti. Mbreti i tha Danielit: “A je ti ai Danieli nga bijtë e shpërngulur të Judës, të cilin e solli im atë nga Juda? 

14 Dëgjova se ti ke shpirtin e zotave dhe se është gjetur në ty një dije, kuptim e urti e madhe.

16 E unë dëgjova për ty se mundesh t’i shtjellosh të fshehtat e t’i zhvillosh gjëegjëzat: nëse, pra, mundesh ta lexosh shkrimin e të ma dëftosh vështrimin e tij, do të vishesh me purpur e rreth qafe do të të vë një varg të artë dhe do të jesh princi i tretë në mbretërinë time.”

17 Danieli iu përgjigj mbretit e i tha: “Dhuratat e tua lëri për vete e dhuntitë e tua jepja një tjetri. Unë shkrimin do ta lexoj, o mbret, dhe do ta dëftoj vështrimin e tij.

23 por e lartësove vetveten përmbi Hyjin e Qiellit, urdhërove të sillen te ti enët e Tempullit të tij dhe ti e bujarët e tu, gratë e tua e shemrat e tua, pitë verë me to, madje ju edhe i lavdëruat edhe hyjnitë e argjendta, të arta, të bronzta, të hekurta, të drunjta e të gurta që s’shohin as s’dëgjojnë as s’kanë ndjenja, kurse nuk i dhatë lavdi Hyjit që në dorën e vet e ka frymën tënde dhe të gjitha udhët e tua. 

24 Ai, pra, e dërgoi këtë dorë që e shkroi këtë shkrim.

25 Dhe, ja, çka shkruan: mane, thecel, upharsin. 

26 Ky është veshtrimi i fjalëve: 
     mane ‑ Hyji e ka peshuar mbretërinë tënde dhe i dha fund; 

27 thecel ‑ u peshove në peshore dhe u gjete i papeshë; 

28 fares ‑ u nda mbretëria jote dhe iu dha medëve e persianëve.”


Psalm: Danieli 3:62-67

62 Diell e hënë, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
63 Yjet e qiellit, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
64 Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
65 Të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
66 Zjarr e vapë, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
67 Acar e vapë, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e bekojeni në shekuj!


UNGJILLI: LUKA 21:12-19

12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të Emrit Tim. 

13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 

15sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 

16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 

18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 

19 Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”