Pages

Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus ... - E Djele 24 Nentor 2013

Leximi i parë: 2 i Samuelit 5:1-3
Psalm: Psalm 122:1-5
Leximi i dytë: Kolosianëve1:12-20
UNGJILLI: LUKA 23:35-43


Leximi i parë: 2 i Samuelit 5:1-3

1 Atëherë erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. 

2 Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’”.

3 Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin.


Psalm: Psalm 122:1-5

1 Këngë shtegtimi. E Davidit.

Seç u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”

2 Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!

3 O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një cope e vetme je!

4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael
për të kremtuar Emrin e Zotit.

5 Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!


Leximi i dytë: Kolosianëve1:12-20

12 Ta falenderoni Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

14 në të cilin kemi shpërblimin ‑ faljen e mëkateve.

15 Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri ‑ para çdo krijese.

16 Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet:
qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet ‑ gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.

17 Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të.

18 Ai është Kryet e Trupit ‑ Kishës; Ai është Fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekurit ‑ që të jetë në gjithçka i Pari.

19 Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia dhe, me anë të Tij,

20 ‑ duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] ‑ të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell.


UNGJILLI: LUKA 23:35-43

35 Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë:
“Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!”

36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull 

37 dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”

38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”

39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:
Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”

40 Por ai tjetri e qortoi shokun:
“As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? 

41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!”

42 Dhe tha:
“Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!”

43 E Jezusi i tha:
“Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”