Pages

Me të vërtetë je Biri i Hyjit - E Hene, 18 Nentor 2013

Leximi i parë: Veprat e Apostujve 28:11-16, 30-31
Psalm: Psalm 98:1-6
UNGJILLI: MATEU 14:22-33


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 28:11-16, 30-31

Pali arrin në Romë

11 Pas tre muajsh lundruam me një anije prej Aleksandrie e cila kishte dimëruar në ishull e për shenjë kishte Dioskurët. 

12 Kur mbërritëm në Sirakuzë, u ndalëm aty tri ditë. 

13 Prej këndej, duke lundruar buzë bregut, u kapëm në Regj. Të nesërmen filloi të fryejë shiroku e për dy ditë arritëm në Puteol, 

14 ku gjetëm disa vëllezër, të cilët na ndalën të rrinim tek ata shtatë ditë.
E kështu arritëm në Romë.

15 Kur vëllezërit e atjeshëm dëgjuan se kemi arritur, na dolën para që prej Tregut të Apiut e deri te Tri Pijetoret. Pali, kur i pa, falënderoi Hyjin dhe u ngushëllua në shpirt.

16 Kur arritëm në Romë, Pali e mori lejen të kishte banesën e vet të veçantë me një ushtar që e ruante.

30 Plot dy vjet jetoi Pali në banesën që vetë e paguante. Aty i pranonte të gjithë ata që shkonin në takim me të. 

31 Predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe mësonte me liri të plotë e pa kurrfarë pengese të vërtetën mbi Jezu Krishtin Zot.


Psalm: Psalm 98:1-6

Zoti gjykatës i tokës

1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,

6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!



UNGJILLI: MATEU 14:22-33

Jezusi ecën mbi ujë
(Mk 6, 45‑52; Gjn 6, 15‑21)

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 

23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 

25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 

26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 

27 Por, menjëherë Jezusi u tha:
“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

28 Pjetri u përgjigj:
“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

29 “Eja!” ‑ i tha.
Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 

30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!”

31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:
“Fepakët! Përse dyshove!”

32 Kur hynë në barkë, pushoi era.

33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:
“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”