Pages

Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj - E Djele, 17 Nentor 2013

Leximi i parë: Malakia 3:19-20
Psalm: Psalm 98:5-9
Leximi i dytë: 2 e Selanikasve 3:7-12
UNGJILLI: LUKA 21:5-19


Leximi i parë: Malakia 3:19-20

19 Dhe, ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë Dita që po vjen ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ e s’do t’u lërë as rrënjë as gem! 

20 Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullosë!


Psalm: Psalm 98:5-9

5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,

6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;

8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare,

9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.

Leximi i dytë: 2 e Selanikasve 3:7-12

7 Sepse ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: 

8 bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. 

9 Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull ‑ që të na përngjani. 

10 Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!” 

11 Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. 

12 Të tillëve u urdhërojmë dhe u bëjmë be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë!


UNGJILLI: LUKA 21:5-19

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit
(Mt 24, 1‑2; Mk 13, 1‑2)

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

Shenjat dhe salvimet
(Mt 24, 3‑14; Mk 13, 3‑13)

7 E pyetën:
“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre!

9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:
“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 

11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 

13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 

15 sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 

16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 

18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 

19 Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”


“Le t’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës plandosi në fund t’detit! Zoti është forca dhe fuqia ime, Ai, veç Ai, më shpëtoi! Ai është Hyji im, Atë lavdëroj! Është Hyji i atit  tim: Atë e lartësoj!

-- Eksodi 15: 1,2