Pages

Ruajuni të mos ju gënjejnë - E Marte 26 Nentor 2013

Leximi i parë: Danieli 2:31-45
Psalm: Danieli 3:57-61
UNGJILLI: LUKA 21:5-11


Leximi i parë: Danieli 2:31-45

31 Prandaj, gjithçka çove mbi ne e gjithçka na bëre,
na e bëre plotësisht me të drejtë!

32 Na lëshove në duar të armiqve tanë keqbërësve, kryekëcyerve më të
mbrapshtë, në duar të një mbreti të padrejtë, më të ziut që ishte mbi tokë.

33 Tani as që guxojmë ta hapim gojën: turpi e marrja i mbuloi ata
që të shërbejnë e të adhurojnë ty.

34 Oh, mos na lër përgjithmonë ‑ pashë emrin tënd ‑
e mos e prish besëlidhjen tënde;

35 as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, pashë Abrahamin, të dashurin tënd, pashë Izakun, shërbëtorin tënd, e pashë Izraelin, shenjtin tënd,

36 të cilëve iu zotove se do t’ua shumosh farën porsi yjet e qiellit
e porsi rërën që është në bregun e detit,

37 sepse, o Zot, jemi pak’suar më shumë se të gjithë popujt,
të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!

38 Ne në këtë kohë nuk kemi princ as profet as prijës,
fli shkrumbimi, therore, as kushtime as kem,
as vend ku të t’kushtojmë ty flitë e fryteve të para
që të mund të gjejmë mëshirë.

39 Por na prano me shpirt të përgrirë e të përvujtëruar në shpirt,
porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish

40 porsi mijëra qengja të majmë e tillë le të jetë flia jonë para teje sot
e përsosna ne që të vemi pas teje sepse s’do të turpërohen
ata që shpresën e kanë vënë në ty.

41 Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër,
ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.

42 Mos na turpëro, por sillu me ne sipas butësisë sate
e sipas madhësisë së mëshirës sate.

43 Na shpëto me mrekullitë e tua lavdi jepi emrit tënd, o Zot!

44 Të turpëruar le të mbesin të gjithë ata që duan të keqen e shërbëtorëve të tu, u turpërofshin e mbetshin pa farë pushteti, iu theftë hovi, pa fuqi mbetshin!

45 Le ta dinë se ti je Zot, Hyj i vetëm, në mbarë botën i lavdishëm.”


Psalm: Danieli 3:57-61

57 Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin,
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

58 Bekojeni, o qiej, Zotin,
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

59 Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

60 Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

61 Të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!


UNGJILLI: LUKA 21:5-11

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit
(Mt 24, 1‑2; Mk 13, 1‑2)

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

Shenjat dhe salvimet
(Mt 24, 3‑14; Mk 13, 3‑13)

7 E pyetën:
“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 

9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:
“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 

11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

Leximet e marra nga: http://www.bibla.net/



Nëse ju nuk keni bërë asgjë, apo nëse ajo që keni bërë ka qënë pa fryt sepse u bë për motive njerëzore, filloni menjëherë të bëni punë të mira që në vdekjen tuaj të jeni në gjëndje t’i ofroni di­çka Jezu Krishtit me qëllim që Ai të mund t’ju japi jetën e përjetshme.

-- Shën Gjohn Vjanney