Pages

Bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet - E Enjte 7 Nentor 2013

Leximi i parë: Romakëve 14:7-12
Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14
UNGJILLI: LUKA 15:1-10


Leximi i parë: Romakëve 14:7-12

7 Në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete. 

8 E vërtetë, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim ‑ jemi të Zotit. 

9 Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve.

10 E ti, pse e gjykon vëllain tënd? Pse ti e përbuz vëllain tënd? Të gjithë, pra, do të qëndrojmë para gjykatores së Hyjit! 

11 Sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Pasha jetën time ‑ thotë Zoti ‑
para meje do të përkulet çdo gju
dhe çdo gjuhë do ta lëvdojë Hyjin!’

12 Prandaj, secili prej nesh do t’i japë llogari Hyjit për vetvete.


Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14

Përbri Hyjit nuk ka frikë

1 I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!


UNGJILLI: LUKA 15:1-10

1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 

2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:
“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 

6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 

7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

Shëmbëlltyra e drahmës së humbur

8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i humbi njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 

9Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 

10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”



Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem!
Ti i shtron popujt nën mua,
ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,
ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi,
ti më shpëton prej njeriut të dhunshëm.

-- Psalm 18: 48,49