Pages

Rrënojeni këtë Tempull e Unë do ta rindërtoj për tri ditë - E Shtune 9 Nentor 2013

Leximi i parë: Ezekieli 47:1-2, 8-9, 12
Psalm: Psalm 46:3-4, 6-7, 9-10
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 3:9-11, 16-17
UNGJILLI: GJONI 2:13-22


Leximi i parë: Ezekieli 47:1-2, 8-9, 12

1 Atëherë më ktheu te hyrja e Tempullit dhe, ja, buronte ujët nën pragun e Tempullit në lindje, sepse ballaniku i Tempullit ishte në krahun e lindjes, kurse ujët rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit, në anën jugore të lterit. 

2 Atëherë më priu në derën e veriut e më priu rreth e rreth përjashta në daljen e jashtme që shikon nga lindja: dhe, ja, uji buronte në krahun e djathtë! 

8 E më tha: “Ky ujë rrjedh në krahinën e lindjes, zbret në Arabë e derdhet në det: në ujë të kripur dhe e shëron ujët. 

9 Çdo gjë e gjallë, që lëviz, kudo të arrijë burimi, do të jetojë; do të ketë shumë peshq, sepse, kudo që arrin ky ujë, gjithçka përtërihet në jetë e shërohet ‑ kudo kalon ky përrua. 

12 Përmbi përrua, në të dy anët, në brigjet e tij, do të rritet çdo lloj peme: gjethet s’do t’u bien e frutat nuk do t’u mungojnë: çdo muaj do të japin fruta të reja, sepse ujët u vjen nga Shenjtërorja. Frutat do t’u jenë për ushqim e gjethet do të përdoren për barna.”


Psalm: Psalm 46:3-4, 6-7, 9-10

3 Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

4 Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tija,
le të dridhen malet në furinë e tij!

6 Hyji është brenda nuk do të tronditet askurrë,
Hyji i ndihmon heret në agim.

7 Ulëritën popujt, ranë mbretëritë,
bubulloi Zoti, toka u shkri!

9 Ejani e shikoni veprat e Zotit
‑ mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!

10 Ndalon luftërat deri në skajet e tokës,
do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët,
mburojat në zjarr do t’i djegë.


Leximi i dytë: 1 e Korintasve 3:9-11, 16-17

9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

10 Sipas hirit që Hyji ma ka dhënë, unë, porsi arkitekt i mirë, vura themelin, një tjetër vazhdon me mur mbi të; por secili t’ia vërë mendjen si ndërton. 

11 Sepse, askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti.

16 Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?

17 Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!


UNGJILLI: GJONI 2:13-22

Pastrimi i Tempullit
(Mt 21, 12‑13; Mk 11, 15‑17;Lk 19, 45‑46)

13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. 

14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty. 

15 Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 

16 Shitësve të pëllumbave u tha:
“Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!”

17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë:
“Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”

18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën:
“Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?”

19 Jezusi iu përgjigj:
“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!”

20 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli ‑ iu përgjigjën judenjtë ‑ e ti do ta ndërtosh për tri ditë?”

21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. 

22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.



Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:
“Grua, ja, yt bir!”
Pastaj i tha nxënësit:
“Ja, nëna jote!”
Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

- Gjoni 19: 25-27