Pages

Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t’i merret - E Marte 8 Tetor 2013

Leximi i parë: Jona 3:1-10
Psalm: Psalm 130:1-4, 7-8
UNGJILLI: LUKA 10:38-42



Leximi i parë: Jona 3:1-10

1 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha:

2 “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” 

3 Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit. Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! 

Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposet!”

5 Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. 

6 I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur. 

7 Atëherë shpallën në Ninivë me urdhër të mbretit e të të mëdhenjve të tij: “Njerëz e kafshë, të mëdha e të imëta, të mos kërkojnë gjë me gojë, as të mos kullotin, as ujë të mos pinë. 

8 Njerëz e kafshë le të mbulohen me thasë e Hyji le të thirret në ndihmë me të gjitha fuqitë. Secili njeri le të kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë e nga dhuna që bën. 

9 Kush e di: ndoshta Hyji ndërron mendimin, ka mëshirë e fal, e flak zemërimit e vet e nuk sharrojmë.”

10 Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për të keqen, me të cilën i kishte kërcënuar se do t’ua çojë dhe nuk ua çoi.


Psalm: Psalm 130:1-4, 7-8

1 Këngë shtegtimi.
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

2 o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

3 Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

4 Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.

7 le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

8 Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.


UNGJILLI: LUKA 10:38-42

Jezusi në vizitë te Marta e Maria

38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 

39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 

40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:
“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 

42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t’i merret.”