Pages

Do të kërkohet llogari prej kësaj breznie - E Enjte 17 Tetor 2013

Leximi i parë: Romakëve 3:21-30
Psalm: Psalm 130:1-6     
UNGJILLI: LUKA 11:47-54


Leximi i parë: Romakëve 3:21-30

Shfajësimi i plotë me anë të fesë

21 Tani veç, pavarësisht nga Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare e Hyjit, e dëshmuar prej Ligjit e prej Profetëve, 

22 vepra shëlbimtare e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë ‑ pa farë dallimi, 

23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ 

24 e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti. 

25 Atë Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet. Deshi kështu të tregojë drejtësinë e vet, sepse i la pa ndëshkuar mëkatet e mëparshme në kohën e durimit të vet ‑ 

26 e në kohën e tashme e dëfton drejtësinë e vet për të qenë i drejtë e për të shfajësuar atë që është në fenë e Jezusit.

27 A ka, pra, arsye për t’u krenuar?
‑ Kurrsesi!
‑ Në saje të cilit Ligj? Në saje të veprave?
‑ Jo, por vetëm në saje të fesë! 

28 Sepse ne mendojmë se njeriu shfajësohet me anë të fesë, pa veprat e Ligjit.

29 A thua Hyji është vetëm i hebrenjve? A nuk është gjithashtu edhe i paganëve?
Po, edhe i paganëve! 

30 Sepse është vetëm një Hyj: ai do të shfajësojë të rrethprerët për arsye të fesë e të parrethprerët me anë të fesë.


Psalm: Psalm 130:1-6     

1 Këngë shtegtimi.
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

2 o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

3 Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

4 Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.

5 Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret 

6 shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
Më tepër se rojtarët agimin


UNGJILLI: LUKA 11:47-54

47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë. 

48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore! 

49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, 

50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: 

51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.

52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!”

53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i bëjnë shumë pyetje, 

54 duke i ngrehur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë prej gojës së tij.




Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, tek një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

-- LukA 1:26